
Sipërfaqe pyjesh në zona të ndryshme të vendit janë përfshirë në flakë. Temperaturat e larta të gushtit, të shoqëruara shpesh edhe me pakujdesinë e njerëzve, janë bërë shkak për zjarret që kanë përfshirë sipërfaqe të mëdha.
Një vatër zjarri është aktive në afërsi të fshatit Katund i Vjetër në Rubik, Mirditë.
Ndërkohë, zjarre kanë rënë në Dajç dhe Tamarë.
Edhe në Gjirokastër ka pasur disa vatra aktive zjarri.
Kryetari i Bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Golemi, shprehet se çdo neglizhencë apo pakujdesi mund të jetë jetë fatale për qytetarët e Gjirokastrës.
“Nisur nga situata e krijuar prej dy ditësh në territorin e Bashkisë Gjirokastër, ku ka patur disa vatra zjarri, dua të përsëris një THIRRJE TË FORTË, kryesisht për banorët e fshatrave: Mos luani me zjarrin! Çdo neglizhencë apo pakujdesi e juaja, por edhe tentativat e qëllimshme për të ripërtërirë kullotat, mund të jenë fatale për ne”, shkruan Golemi.
Në bashkinë Shkodër, ditët e fundit ka pasur tre vatra zjarri: Këneta e Domnit, Maja e Zezë mbi Rrjoll, Pulaj.
Edhe në Dibër ka pasur vatra zjarri ditët e fundit. Një vatër në sektorin pyjor të Pratit në njësinë administrative Selishtë ka djegur një sipërfaqe pyjore rreth 150 hektarë.
Në Fier, një tjetër vatër ka shkrumbuar një pjesë të pyllit të Semanit.



