
Duke pas parasysh numrin e lartë të të sëmurëve me Covid-19, në Maqedoninë e Veriut, nga nesër fillon vaksinimi masiv.
Konkretisht në Tetovë, si njëra ndër komunat me numër të madh të të infektuarëve, deri më tani janë vaksinuar gjithsej 1.600 persona të moshës mbi 71 vjeçare, ndërkaq me datë 5 maj pritet të bëhet hapja e punktit rajonal të vaksinimit, i cili do të jetë në shkollën e mesme të mjekësisë “Nikola Shtejn”.
Drejtori i Institutit për Shëndet Publik, Borislav Jorgaqievski tha se në Tetovë pritet të vaksinohen deri në 1.500 persona në ditë.
Edhe kryetarja e komunës së Tetovës, Teuta Arifi në një status të profilit të saj zyrtar, facebook bënë të ditur se salla e sportit të shkollës së mjekësisë është gati të filloj me vaksinime.
“Në sallën e sportit të shkollës së mjekësisë, nga e marta (04.05.2021) fillon vaksinimi masiv kundër =covid19 për banorët e Tetovës dhe Pollogut!
Kjo qendër do të ketë kapacitet prej 1500 vaksinimeve në ditë!”, ka shkruar Arifi.
Në Tetovë fillimisht do të vaksinohen qytetarët e Tetovës, Gostivarit dhe fshatrave përreth.



