Një beach bar është përfshirë nga flakët mbrëmjen e së premtes në Radhimë. Sipas burimeve policore, dyshohet se bëhet fjalë për një zjarrvënie të qëllimshme, pasi zjarri ka nisur fillimisht nga pjesa e lokalit dhe më pas është përhapur me shpejtësi në gjithë strukturën.
Nga të dhënat paraprake rezulton se në këtë periudhë të vitit, beach bari nuk ishte ende në funksionim.
Situata është bërë edhe më e vështirë për shkak të përhapjes së flakëve drejt një zone kodrinore, të favorizuara nga era e fortë.
Në vendngjarje kanë ndërhyrë dy mjete zjarrfikëse dhe efektivë të shumtë, të cilët kanë punuar si nga ana e rrugës, ashtu edhe në terren për të izoluar dhe shuar vatrat e zjarrit.
Pas rreth 60 minutash ndërhyrjeje intensive, zjarrfikësit kanë arritur të neutralizojnë plotësisht flakët. Fatmirësisht nuk raportohet për të lënduar, ndërsa dëmet materiale janë të konsiderueshme. Nga objekti i djegur nuk ka mbetur thuajse asgjë.



