Nën koordinimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe Ministrisë së Mbrojtjes, vijon operacioni për shuarjen e zjarrit në zonën e Shëngjinit, në mbështetje të Bashkisë Lezhë.
Gjatë gjithë natës është punuar pa ndërprerje për izolimin e flakëve, me angazhimin e 7 mjeteve zjarrfikëse nga MZSH Lezhë, Vau i Dejës, Shkodër, Mirditë dhe Porti i Shëngjinit.
Në operacion janë përfshirë gjithashtu efektivë të Forcave të Armatosura, autobotë uji, punonjës të Shërbimit Pyjor, si dhe ekipe të Shërbimeve Publike dhe Emergjencave Civile të Bashkisë Lezhë.
Ndërhyrja po mbështetet edhe nga operacionet ajrore me helikopter të Forcave të Armatosura.
Sipas autoriteteve, falë koordinimit të strukturave në terren, intensiteti i zjarrit është ulur ndjeshëm, ndërsa puna vijon për izolimin dhe shuarjen e plotë të vatrave aktive.
Ndërkohë, autoritetet bëjnë me dije se autori i dyshuar i zjarrvënies është identifikuar dhe është vënë përpara përgjegjësisë ligjore.
Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal, të respektojnë masat për parandalimin e zjarreve dhe të njoftojnë menjëherë autoritetet për çdo vatër zjarri apo rast të dyshimtë.



