
Në kuadër të 22 vjetorit të çlirimit të Kosovës nga forcave okupuese ushtarake dhe policore serbo-malazeze, me ndihmën e NATO-s dhe forcave të organizuara nga rradhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nuk kanë munguar urimet e politikës shqiptare.
Në nderimin e tij në këtë përvjetor, kryetari në detyrë i PD-së, Lulzim Basha shkruan se në këtë ditë krenarie kombëtare, mirënjohja më e thellë shkon për bijtë dhe bijat e Kosovës që dhanë jetën për liri, për lidershipin e Presidentit historik, Ibrahim Rugova, për luftën heroike të UÇK-së dhe simbolit të saj, Komandantit Legjendar, Adem Jashari.
Basha thekson më tej se shqiptarët do t’u jenë përjetë mirënjohës aleatëve tanë strategjikë, vendeve anëtare të NATO-s të udhëhequr nga SHBA, e të gjithë partnerëve.
"Në këtë ditë krenarie kombëtare, mirënjohja më e thellë shkon për bijtë dhe bijat e Kosovës që dhanë jetën për liri, për lidershipin e Presidentit historik, Ibrahim Rugova, për luftën heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe simbolit të saj, Komandantit Legjendar, Adem Jashari.
Në këtë rrugëtim plot sakrifica dhe shpresë drejt ëndrrës së çlirimit, shqiptarët do t’u jenë përjetë mirënjohës aleatëve tanë strategjikë, vendeve anëtare të NATO-s të udhëhequr nga SHBA, e të gjithë partnerëve.
Liria dhe shteti i Kosovës janë kontribut i përbashkët i shqiptarëve dhe partnerëve të saj. E ardhmja e Kosovës, si një shtet i fortë, demokratik, anëtar i NATO-s dhe BE-së, do ndërtohet bashkarisht me partnerët dhe aleatët tanë", shkruan Basha.



