
Pas sulmit kibernetik në vend, Prokuroria e Tiranës mori vendimin që të dhënat të cilat bëhen publike nga autorët të cilët qëndrojnë pas sulmeve, nuk duhet të publikohen më tej nga mediat.
Lidhur me këtë pedagogu në Departamentin e Gazetarisë në UT, Zylyftar Bregu, konsideron se ky është një urdhër i vepruar në bazën e një logjike dhe si i tillë duhet injoruar.
Prokuroria e Tiranës ka vepruar në bazën e një logjike force, ndaj një pushteti të ndarë me pushtetin gjyqësor, siç është media. Prokuroria, vendimin e saj e bazon mbi tre nene të Kodit të Procedurën penale, nga të cilat vetëm njëri bën fjalë për mospublikimin e akteve hetimore, por kur themi mos publikimin Kodi i procedurën penale i ngarkon për të mos publikuar prokurorinë, dhe nuk ngarkon mediat, andaj duhet injoruar.
Është një vendim qe nëse Prokuroria do të kishte shqetësim mospublikimin e fakteve, duhet të shkonte në Gjykatë dhe vendimi të merrte një formë juridike dhe së treti Prokuroria me këtë akt, i le të kuptoj medias dhe opinionit publik se të dhënat që kanë hakerat janë të rëndësishme, sensitive dhe mund të cenojë sigurinë kombëtare, ndërkohë që drejtues të qeverisë thonë se ata nuk kanë arritur të marrin dhe të dëmtojnë të dhëna sensitive.



