
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi sot shkarkimin nga detyra të gjyqtares së Tiranës, Rezarta Balliu (Vigani). Vendimi u mor nga trupi gjykues i kryesuar nga Genta Tafa (Bungo), me relatore Suela Zhegun dhe anëtar Olsi Komicin.
Gjatë seancës dëgjimore të mërkurën, gjyqtarja Balliu u përball me gjetje të ngjashme me ato të bashkëshortit Arjan Balliu, ish gjyqtar i Apelit Durrës dhe u vendos përpara barrës së provës për kontrata fiktive, mungesë burimesh dhe mosdeklarime në disa vite.
Balliu kundërshtoi gjetjet e Komisionit, që e nxirrnin atë me bilance negative në një sërë transaksionesh. Ajo kërkoi të mos vlerësohej për një pasuri që rezultonte 100 % në emër të bashkëshortit, problemet e të cilës ishin gjetur shkarkuese në rastin e tij.
Rezarta Balliu (Vigani) e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2000 dhe e ushtroi funksionin prej dy dekadash në Gjykatën e Rrethit të Tiranës.



