Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale e Departamentit të Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës dhe partnerët ndërkombëtarë, ka finalizuar operacionin e koduar “Fury”, duke arrestuar dy shtetas me rrezikshmëri të lartë shoqërore, të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet e Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Operacioni është rezultat i një bashkëpunimi të ngushtë dhe afatgjatë mes Policisë së Shtetit dhe Shërbimit Diplomatik të Sigurisë (DSS) në ambasadat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë dhe Shkup, si dhe autoriteteve ligjzbatuese të Maqedonisë së Veriut.
Në kuadër të operacionit u lokalizuan dhe u arrestuan në Durrës shtetasit Musa Xhevit, 26 vjeç, i lindur në Shkup, dhe Senafi Nuredini, 34 vjeç, i lindur në Norvegji.
Për të dy, INTERPOL kishte lëshuar urdhër-arreste ndërkombëtare për veprat penale të vrasjes, plagosjes, armëmbajtjes pa leje dhe pjesëmarrjes në organizatë kriminale.
Gjatë kontrollit, policia u gjeti të arrestuarve dokumente identifikimi të dyshuara të falsifikuara, të cilat dyshohet se i kanë përdorur për t'u larguar nga territori i Maqedonisë së Veriut dhe për t'iu shmangur drejtësisë.
Në vijim të operacionit u arrestua në flagrancë edhe shtetasi Xhenkiz Rushiti., 26 vjeç, nga Republika e Maqedonisë së Veriut, i dyshuar për veprat penale "Përkrahja e autorit të krimit" dhe "Falsifikimi i dokumenteve", pasi dyshohet se u kishte siguruar dy të kërkuarve dokumentet e falsifikuara.
Gjatë kontrollit në banesën e tij, shërbimet e Policisë sekuestruan edhe një sasi të vogël lënde narkotike të dyshuar Cannabis Sativa, në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme, ndërsa Policia e Shtetit falënderoi partnerët amerikanë të DSS në ambasadat e SHBA-së në Tiranë dhe Shkup për bashkëpunimin dhe koordinimin në realizimin e këtij operacioni të përbashkët.



