Prokuroria e SPAK kërkon dënimin e ish-drejtorit të RTSH-së, Thoma Gëllçi me 1 vit 8 muaj burg.
“Kërkoj deklarimin fajtor të të pandehurit Thoma Gëllçi për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim detyre” dhe dënimin e tij me dy vjet e gjashtë muaj burg. Në aplikimin e nenit 406 të Kodit Penal, dënimin e tij me 1 vit e 8 muaj burgim”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë.
Po kështu Prokuroria e Posaçme kërkon për Alban Malavecin, Julian Tapian dhe Ervin Muraj dënimin me 12 muaj burg për shkelje të barazisë në tendera.
Ish-drejtori i RTSH-së u arrestua më datë 8 tetor të vitit të kaluar bashkë me anëtarë të komisionit të ofertave Ervin Muraj, Julian Tapia, Alban Malaveci të akuzuar për abuzim me tenderat.
Sipas SPAK ai ka shpallur procedurën e tenderit përpara se të merrte miratimin nga AMA për hapjen e kanalit TVSH AGRO.
Tenderi është zhvilluar në 2018, dhe procedura është shpallur 3 vite përpara se TVSH Agro të fillonte transmetimi. Në 2021 TVSH Agro ka dalë në prova teknike. Përmes tenderit janë blerë pajisjet dhe janë përdorur ndërkohë.
Gëllçi dhe tre vartësit e tij janë arrestuar, pasi akuzohen për shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë në tendera, dhe përkatësisht për tenderin që kap vlerën e 86 milionë lekëve pa TVSH.



