
Një konflikt banal mes dy drejtuesve të mjeteve për përparësinë në rrugë ka përfunduar në mënyrë tragjike me humbjen e jetës së një 57-vjeçari, të identifikuar si Petrit Ndou.
Korrespondenti nga Lezha, Juli Simoni, raportoi për “MCN Live” mbi ngjarjen e rëndë të ndodhur në orët e para të mëngjesit në aksin rrugor Thumanë–Fushë Krujë, ku një mosmarrëveshje se kush do të kalonte i pari rrugën u kthye në një konflikt fatal.
Ngjarja është regjistruar rreth orës 00:40, në aksin rrugor Mamurras–Fushë Krujë, pranë fshatit Bushnesh. Sipas të dhënave paraprake, shtetasi Andi Vokri, 28 vjeç, e ka goditur me sende të forta (çekiç) 57-vjeçarin, duke i shkaktuar vdekjen.
I riu, banues në Thumanë, është arrestuar menjëherë pas ngjarjes nga shërbimet e Policisë.
Burime policore bëjnë me dije se konflikti ka nisur fillimisht me debate verbale, me fraza të tipit: “Pse i jep makinës kështu? Do bëjmë aksident”, ndërsa shkaku i sherrit ka qenë për motive të dobëta.
Shërbimet e Policisë kanë shoqëruar autorin e dyshuar, si edhe persona të tjerë që mund të kenë dijeni për rrethanat e ngjarjes, por për shkak të hetimeve nuk janë bërë publike të dhëna të tjera.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes. Në përfundim të veprimeve hetimore, pritet të jepet informacion i plotë zyrtar nga Policia.



