
Ish-drejtori i Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit në Bashkinë e Tiranës, i arrestuar nga Prokuroria e Posaçme, ka reaguar ka reaguar përmes avokatit të tij. Ai ka mohuar, duke thënë se ka zbatuar ligjin gjatë ushtrimit të detyrës.
“Unë Mariglen Qato jam i pafajshëm. Nuk kam asnjë lidhje me akuzat dhe nuk kam bërë asnjë veprim të kundraligjshëm. Në ushtrimin tim të detyrës, kam punuar me përkushtim dhe kam zbatuar në mënyrë rigoroze ligjin.
Ndjehem i keqardhur që SPAK ka rënë pre e presionit politik të Ilir Metës, dhe Këlliçit që kanë nisur këtë sulm politik ndaj meje prej muajsh, pa asnjë fakt real. Mbetem besim plotë që ky proces të mbarojë sa më shpejt, drejtësia të bëj punën e saj dhe e vërteta e pafajësisë time të dalë në dritë”, është shprehur Qato.
Këtë të enjte, me kërkesë të SPAK, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të organizuar firmosi 9 masa sigurie për zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Bashkisë së Tiranës. Nga 9 masa sigurie, 3 prej tyre janë “arrest në burg”, ndërsa 6 të tjerat janë “detyrim paraqitje”.
“Arrest me burg” u firmos ndaj Mariglen Qatos, ish-drejtorin e Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) në Bashkinë e Tiranës dhe ish drejtorin e Ujësjellës Kanalizimeve Tiranë, Redi Molla dhe Taulant Tusha, ish-drejtor i Punëve Publike, Bashkia e Tiranës. Ky i fundit aktualisht ndodhet në paraburgim për dosjen e inceneratorit të Tiranës dhe kjo është masa e dytë e sigurisë që firmos GJKKO ndaj tij. Detyrim për t'u paraqitur është caktuar ndaj Deborah Keçi, drejtuese e “Klubi Sportiv Tirana”, pranë Bashkisë Tiranë, e pezulluar nga ky post, Enton Punavija, Julian Zanaj, Albano Janku dhe Nestor Muhamellari.



