
Dy turistë gjermanë rezultojnë të humbur prej rreth 48 orësh në zonën e thellë malore të Polisit, në bashkinë e Librazhdit.
Sipas informacioneve paraprake, ata kishin ndërmarrë një itinerar ecjeje në Malësinë e Polisit, por prej dy ditësh kanë humbur kontaktet me guidën që i shoqëronte.
Alarmi është dhënë pranë strukturave të Policisë së Elbasanit, të cilat kanë nisur menjëherë një operacion kërkimi në terren për lokalizimin e turistëve.
Në operacion janë përfshirë efektivë të policisë, forcat e emergjencave, si dhe banorë të zonës që njohin mirë terrenin.
Burime paraprake bëjnë me dije se zona ku dyshohet se ndodhen turistët është e vështirë për t’u aksesuar dhe karakterizohet nga mungesa e sinjalit të telefonisë celulare.
Deri më tani nuk është arritur të vendoset asnjë kontakt me ta, ndërsa nuk ka gjurmë as nga pajisjet GPS që mund të kenë pasur me vete.
Autoritetet dhe komuniteti lokal vijojnë kërkimet intensive, ndërsa orët në vijim pritet të jenë vendimtare për gjetjen e turistëve dhe sqarimin e rrethanave të humbjes së kontakteve.



