
Policia e Shtetit vijon të ushtrojë kontrolle në akse të ndryshme rrugore në vend, ndërsa problemi kryesor që haset çdo ditë tek drejtuesit e mjeteve, është shpejtësia tej normave të lejuara. Gjatë 24 orëve të fundit, burime zyrtare nga Policia bëjnë të ditur se janë konstatuar mjete që lëvizniin me shpejtësi deri në 161 km/h në aksin Rrogozhinë-Kavajë dhe deri në 134 km/h në aksin Tiranë-Elbasan.
Si pasojë, 7 shoferë janë arrestuar, ku 5 prej tyre po lëviznin pa leje drejtimi ndërsa 2 të tjerë ishin në gjendje të dehur në timon. Ndërkohë janë pezulluar 39 leje drejtimi, 26 prej tyre për shpejtësi mbi normat dhe 13 për drejtimin nën efektin e alkoolit.
Sakaq, si masë ndëshkuese për shoferët që janë konstatuar në shkelje të rregullave janë vendosur 1046 gjoba. Policia iu bën apel drejtuesve të mjeteve që të zbatojnë rregullat rrugore që të ruajnë jetën e tyre dhe të të tjerëve përreth.



