Detaje të reja janë mësuar nga aksidenti i ndodhur në Shkodër mbrëmjen e sotme, në fshatin Shtoj të njësisë administrative Rrethina, ku një person humbi jetën pasi automjeti që drejtonte u përplas me një shtyllë në anë të rrugës.
Viktima është identifikuar si Naim Kurtoviq, 61 vjeç. Fillimisht ai ka mbetur i bllokuar brenda automjetit pas përplasjes së fortë në një rrugë dytësore të zonës.
Pas disa minutash ndërhyrjeje është bërë e mundur nxjerrja e tij nga makina dhe transportimi me ambulancë drejt spitalit rajonal të Shkodrës.
Sipas burimeve nga vendngjarja, dyshohet se 61-vjeçari ka pësuar një infarkt në momentin kur ishte duke drejtuar automjetin, çka më pas ka sjellë humbjen e kontrollit dhe përplasjen me shtyllën në anë të rrugës. Si pasojë e goditjes së fortë, ai ka ndërruar jetë.
Mësohet se viktima vuante nga disa probleme shëndetësore, ndërsa dyshohet se gjendja e tij shëndetësore mund të ketë shkaktuar infarktin gjatë drejtimit të mjetit.
Policia ndodhet ende në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit fatal.



