
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla njoftoi se Policia e Kosovës prej sot ka filluar patrullimin ujor në kufi me Serbinë si dhe të gjithë hapësirën e Liqenit të Ujmanit, për herë të parë që nga paslufta.
Sveçla ka shkruar në rrjete sociale se tashmë kufiri shtetëror është i plotë.
Për herë të parë që nga paslufta, pas krijimit të njësitit për patrullim ujor, Policia e Kosovës sot filloi me patrullimin e rregullt të vijës kufitare mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, si dhe gjithë hapësirës së Liqenit të Ujmanit.
Tashmë, kontrolli i kufirit shtetëror është më i plotë. Përgëzoj Policinë e Kosovës për suksesin e radhës!.
Ka mjaftuar deklarata e ministrit Sveçla, që presidenti serb Aleksander Vuçiç të vazhdojë me deklarata që shpërfaqin çmendurinë e tij politike.
Ai tha se autoritetet në Serbi kanë informacione se “shqiptarët heshtas dhe fshehurazi po bëjnë përpjekje të marrin veriun e Kosovës”.
Siç transmetojnë mediat serbe, Vuçiç tha se një gjë e tillë paraqet shkelje të Marrëveshjes së Brukselit.
Shqiptarët në heshtje kanë një plan për të pushtuar dhe pushtuar veriun e Kosovës, me ndihmën e fuqive më të mëdha evropiane nga QUINT-i.
Vuçiç madje kërcënon duke thënë se “i paralajmëron të dy palët të mos e bëjnë më”.
Populli serb nuk do të tolerojë më dhunë, as mosrespektim të së drejtës publike ndërkombëtare dhe normave juridike ndërkombëtare. Ky është paralajmërimi im për ata që do të vijnë nesër në Beograd dhe për të gjithë të tjerët. Pse po luani – keni luajtur. Nëse mund t’i respektoni normat që keni sjellë vetë, mundeni, nëse jo, ka dikush që do.
Ujmani është liqen artificial dhe shtrihet në veriperëndim të Kosovës, ndërsa një pjesë e vogël e liqenit kalon në territorin e Serbisë.



