Gazetari Sokol Bregu, shprehet mosbesues për zbulimin e autorëve të përfshirë në ekzekutimin e biznesmenit 43-vjeçar Edmond Hyka alias Mondi Mëhalla, në Elbasan.
Nga studio e “MCN Live” ai deklaroi se viktima ka qenë i përfshirë në trafik droge dhe ndau mendimin se pavarësisht shkëputjes nga ky aktivitet, pakënaqësitë mund të mbarten më tej.
Sipas tij, bëhet fjalë për vrasje të krimit të organizuar dhe shtoi se viktima nuk ishte në ruajtje dhe nuk e priste një atentat ndaj tij.
Kjo vrasje i përket krimit të organizuar dhe vjen pas një periudhe pauze pas tre vitesh në Elbasan, kjo sjell shqetësimin e rendit publik në Elbasan. Por nuk është një kambanë kaq e madhe alarmi, pasi krimi nuk ndodhi në një ambient publik siç ndodh zakonisht në raste të tilla. Vërtetë jemi përballë faktit se çdo vrasje duhet trajtuar me përparësi, por shqetësim mbetet i njëjtë.
Është vrasja e 15-të e këtij viti, dhe është po e 15-ta vrasje e këtij lloji, e cila nuk ka autor. Flasim për vrasje kriminale. Nuk besoj se mund të zbardhet kjo ngjarje, për sa kohë që nuk janë zbardhur 14 të tjera. Nuk ka burokraci krimi i organizuar, e shpërndan menjëherë se kush mund të jetë autori.
Besoj se të dëmtuarit e kanë marrë vesh se kush është autori i krimit. Është tjetër gjë policia, e cila vepron në mënyrë burokratike. Ajo që di është që krimi perfekt nuk ekziston, diku ti e bën gabimin. Që të zbardhen ngjarje të tilla, është çështja e resurseve, burimeve njerëzore. Ka dyshim nga grupi hetimor për përfshirjen e viktimës në trafikun e drogës.
E shkuara e tij ka lidhje me trafik narkotikësh, kjo nuk do të thotë se do e paragjykojmë. Por në logjikën time është se ti mund të jesh larguar nga trafiku i drogës prej shumë vitesh, por trafiku nuk largohet nga ty. Se në trafik ka gjithmonë pakënaqësi. Viktima nuk ishte në ruajtje, nuk ishte vigjilent, nuk është se e priste një atentat ndaj tij.



