Ish-deputeti i PD Asllan Dogjani, njëherazi avokati mbrojtës i terroristit nga Taxhikistani që u arrestua në Tiranë ka hedhur poshtë këtë fakt, duke u shprehur se 24-vjeçari është vetëdorëzuar.
Sipas Dogjanit, ai i ka kërkuar gjykatës që klienti të ekstradohet në Gjermani, sepse ka gruan, e cila është në pritje të një fëmije.
Avokati ka theksuar se në Taxhikistan, Komron Zukhurov i rrezikohet jeta, madje atje është dhunuar edhe me shufër elektrike.
Më tej, Dogjani ka thënë se në qoftë se 24 vjeçari është pjesëmarrës i organizatës terroriste ISIS ta vendos gjykata federale gjermane.
‘Vjen për herë të parë në Shqipëri dhe së dyti është dorëzuar vetë. Nuk është arrestuar në flagrancë, nuk është pasqyruar nga policia që ka shkuar vullnetarisht. Nuk e ka kërkuar askush pa asnjë lloj presioni.
Ne kërkuam një masë sigurimi më të butë pasi nuk plotëson kushtet. Pasi është dorëzuar vetë në policinë e shtetit. Ai kërkon të ekstradohet në Gjermani, po jo në Taxhikistan pasi i rrezikohet jeta. I ngelet gjykatës federale të Gjermanisë ta konfirmojnë nëse ka kryer një vepër të tillë.
Ai duhet të shkoj në Gjermani se është i martuar dhe pret një fëmijë. Kam disa foto që është dhunuar me rrymë elekrike. Ai ka ardhur me vizë në mënyrë legale duke respektuar rregullat, ka ardhur tek halla e vetë’, tha Dogjani.
Gjykata ka dhënë masën 'burg pa afat' për 24 vjeçarin nga Taxhikistani i identifikuar si Komron Zukhurov.



