
Gjyqtari Tom Ndreca do të përballet sot me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, i cili përfaqësohet në këtë proces nga Brunilda Bekteshi, Roland Ilia dhe Firdes Shuli.
Gjyqtari Tom Ndreca u emërua në Gjykatën e Lartë në prill të vitit 2013, pas një periudhe 20 vjeçare si anëtar i Gjykatës së Apelit të Tiranës. Ai ka qenë gjithashtu anëtar i Kolegjit Zgjedhor.
Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale.
Sipas një raporti të përpiluar nga BIRN, pas administrimit të deklaratave të pasurisë së këtij subjekti nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI, pasuria e Ndrecës është katërfishuar në 11 vjet.
Të dhënat e analizuara nga BIRN tregojnë se Ndreca zotëronte një pasuri familjare me vlerë 5.7 milionë lekë në vitin 2003. Referuar deklarimit të tij të parë, ai zotëronte dy apartamente banimi në Tiranë si dhe një automjet. Në fund të vitit 2017, pasuria e subjektit rezulton e rritur me 4 herë duke kapur vlerën e rreth 22.8 milionë lekëve. Pasuritë e paluajtshme zënë pjesën kryesore të pasurisë familjare të gjyqtarit Ndreca me një vlerë totale prej 15.4 milionë lekësh. Nga dy apartamente që deklaronte në vitin 2003, në fund të vitit 2017 ai zotëron familjarisht 4 apartamente të blera kryesisht me kursime.
Ai zotëron gjithashtu 6.9 milionë lekë llogari bankare, 300 mijë lekë kursime në cash dhe një automjet me vlerë 200 mijë lekë. Të ardhurat familjare të zotit Ndreca për të gjithë periudhën deklaruese përbëhen nga paga e tij dhe ajo e familjarëve. Në fund të vitit 2017, të ardhurat kapin vlerën e 39.1 milionë lekëve në total.



