
Drejtori i zyrës së ALUIZNI-t në Vlorë dhe dy zyrtarë të tjerë do të shkarkohen nga detyra pas një inspektimi të Task Forcës Antikorrupsion. Shkak është bërë një denoncim në Platformën e Bashkëqeverisjes, me objekt denoncimin e legalizimit të një shtese anësore të një pallati shumëkatësh pranë stadiumit “Flamurtari” – Vlorë. Task Forca antikorrupsion ka rekomanduar masën largim nga puna për drejtorin e Drejtorisë Rajonale të ALUIZNI-t, Vlorë; përgjegjësin e Sektorit të Legalizimeve; dhe një specialist në të njëjtin sektor.
Po ashtu, kontrollet e kryera nga Task Forca në Drejtorinë e Hetimit Tatimor Rajoni Jugor – Fier kanë konstatuar shkelje të ndryshme si: Mospërcaktimi në Urdhrat e Shërbimit të zonës së inspektimit, të listës së subjekteve që duhen kontrolluar dhe arsyen e ushtrimit të kontrollit; përzgjedhja e cila është realizuar nga vetë inspektorët pa asnjë kriter ligjor, nënligjor apo akt administrativ me karakter të brendshëm.
Në bazë të tyre, Task Forca Antikorrupsion ka rekomanduar 24 masa disiplinore për drejtues dhe inspektorë të kësaj drejtorie. 12 vërejtje me paralajmërim për largim nga puna për drejtorin e Drejtorisë së Hetimit Tatimor, Rajoni Jugor-Fier, si dhe për 10 inspektorët e Sektorit të zbatimit, si dhe për Përgjegjësin e Sektorit të zbatimit dhe 12 vërejtje me shkrim për inspektorët e zbatimit të kësaj drejtorie.



