
Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës ka miratuar vendimin për dërgimin e një kontingjenti të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në Shqipëri, për të ndihmuar në operacionin humanitar të kërkim-shpëtimit në zonën e “Qafës së Burrelit”, në Bashkinë Klos.
Ministria e Mbrojtjes, mbi bazën e objektivave dhe planifikimeve strategjike për zgjerimin e kapaciteteve dhe vënien në detyrë të këtyre kapaciteteve, është e përgatitur të mbështesë Shqipërinë me një kontingjent për nevoja humanitare, përkatësisht për operacionin e kërkim-shpëtimit në ‘Qafën e Burrelit’, në kuadër të partneritetit strategjik me shtetet mike dhe në veçanti me Shqipërinë.
Operacioni po zhvillohet për të gjetur trupin e 29-vjeçarit Ardit Beshiri, i cili mbeti i zënë poshtë nga shembja e një mase inerte, ndërsa po punonte me fadromë në sistemimin e mineralit të kromit në fabrikën e pasurimit që menaxhohej nga një kompani kineze. Ngjarja ndodhi të shtunën e kaluar.
Prej më shumë se tre ditësh, autoritetet shqiptare po kërkojnë trupin, por për shkak të masës së madhe të mineralit, kërkimet kanë qenë të vështira dhe deri tani pa rezultat.
Përfshirja e FSK-së pritet të sjellë pajisje dhe ekspertizë shtesë për të ndihmuar në përfundimin me sukses të operacionit.



