
Një 23-vjeçar shqiptar është arrestuar nga autoritetet britanike, nën akuzën e kultivimit të lëndëve narkotike. Sipas mediave britanike, në pranga është vënë shtetasi Bledar Simaku, i cili është gjetur brenda në një nga fermat e ngritura në Bradford të Anglisë.
I riu shqiptar për të shpëtuar policisë u ngjit në çatinë e fermës dhe u hodh nga lartësia duke thyer këmbën. Edhe pse me këmbë të thyer, 23-vjeçari sërish u përpoq që t’i ikte policisë përmes qendrës së qytetit Bradford, por u gjurmua nga kamerat e sigurisë.
Ndër të tjera mësohet se ferma e kanabisit përfshinte pajisje të tilla si llambat e ngrohjes dhe sistemin e ujitjes. Sipas prokurorisë së këtij qyteti, gjurmët e gishtave të Simakut u gjetën në fermën e kanabisit ku po rriteshin 500 deri në 600 rrënjë të kësaj lënde narkotike. I riu shqiptar i arrestuar kishte hyrë ilegalisht në Britaninë e Madhe, ndërsa iu gjet edhe karta e identitetit shqiptare.



