
Arqipeshkvi i Arqidioqezës Tiranë-Durrës, Arjan Dodaj mori sot detyrën gjatë një ceremonie të zhvilluar në Katedralen e Shën Palit në Tiranë.

Në ceremoninë e përurimit të Ipeshkvit Dodaj ishin të pranishëm presidenti Ilir Meta, kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, kryeministri Edi Rama, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ministra të kabinetit qeveritar, përfaqësues të komuniteteve të tjera fetare, qytetarë, etj.
Në fjalën e tij, Imzot George Frendo, i cili dha dorëheqjen nga kujdesi baritor i Kryedioqezës Mitropolitane Tiranë-Durrës, u shpreh, se “Shoqëria jonë ka nevojë për politikën por edhe besimet. Besimet kanë diçka që politika nuk e ka. Le të angazhohemi së bashku me politikën për një Shqipëri më të denjë”.
Arqipeshkvi i Arqidioqezës Tiranë-Durrë, Imzot Arjan Dodaj u zotua ta kryejë denjësisht shërbimin ipeshkvor.
Meshtari Dodaj, ka lindur në Laç më 21 janar 1977.
Në vitin 1993, pasi kreu shkollën e mesme në vendin e lindjes, vendosi të emigrojë në Itali, ku u vendos në Cuneo.
Ai u shugurua si meshtar më 11 maj 2003 nga Papa Gjon Pali II, në bazilikën e Shën Pjetrit dhe u inkardinua në Dioqezën e Romës, si anëtar i Vëllazërisë meshtarake të Bijve të Kryqit, në bashkësinë ” Shtëpia e Marisë”.
Ai ka mbajtur detyra të ndryshme baritore. Ndër to, prej vitit 2003 deri në 2004, ai ishte zëvendës-famullitar i famullisë “Shën Domenico Guzman” në Romë. Më pas mori rolin e zëvendës rektorit të rektorisë së “San Giovanni della Malva”.
Tashmë ai merr rolin e rëndësishëm të Arqipeshkvit të ri më të rëndësishëm në Shqipëri. më parë këtë pozitë e ka mbajtur Imzot George Fremdo.



