
Tre persona janë arrestuar, mes tyre edhe një punonjës i OSHEE-së, pas një operacioni të zhvilluar nga Policia në lagjen “10 Korriku” në Shkodër.
Të arrestuarit janë identifikuar si Arvid Papajanis, 35 vjeç, Klodian Hasanaj, 30 vjeç, si dhe Dritan Selmani, 40 vjeç, punonjës i OSSH-së.
Ndërkohë, janë proceduar penalisht edhe tre punonjës të tjerë të OSHEE-së për shpërdorim detyre, raporton për “MCN Live” korrespondentja Bendis Druni.
Në lagjen “10 Korriku”, pranë Kalasë së Rozafës, u zbulua një ambient (tunel) i përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike, i cili furnizohej me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike.
Policia e Shkodrës finalizoi operacionin e koduar “Neonët 9”, në kuadër të operacionit të gjerë “Neonët”, duke e çuar në 14 numrin e rasteve të goditura në këtë veprimtari kriminale.
Gjatë ndërhyrjes u sekuestruan 670 fidanë dhe bimë të dyshuara kanabis, si dhe 254 pajisje elektrike (llamba, panele LED, filtra ajri etj.) që shërbenin për kultivimin dhe tharjen e tyre.
Në flagrancë u arrestuan Arvid Papajanis 35 vjeç dhe Klodian Hasanaj , 30 vjeç, ndërsa në pranga u vu edhe Dritan Selmani , 40 vjeç. Po ashtu, u proceduan penalisht 3 punonjës të OSHEE-së për shpërdorim detyre.
Sipas hetimeve, tuneli ndodhej në oborrin e një banese të marrë me qira nga 35-vjeçari Papajanis dhe ishte përshtatur posaçërisht për kultivimin në ambiente të mbyllura.



