
Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi mblodhi pasditen e sotme në Lezhë strukturat vendore të policisë së qarqeve Lezhë, Shkodër dhe Kukës.
Çuçi kërkoi intensifikimin e punës dhe forcës goditëse kundër çdo tentative të kultivimit të kanabisit.
Jemi në stinën e mbjelljes prandaj vëmendja e Policisë së Shtetit duke filluar që nga inspektorët bazë në terren dhe deri tek drejtuesit më të lartë duhet të jetë maksimale. Përveç monitorimit të përvitshëm që bëjmë nga ajri me mjete të Guardia di Finanza dhe me dronë, do të kemi shumë shpejt edhe pamjet e shërbimit satelitor për një kontroll të më plotë të territorit në të gjithë vendin.
Ministri i Brendshëm kërkoi që strukturat vendore të policisë të jenë në komunikim të vazhdueshëm me kryetarët e fshatrave sidomos në zonat me risk të lartë, si dhe të kenë në vëmendje edhe format alternative të kultivimit të kanabisit në ambiente të mbyllura.
E rëndësishme është gjithashtu të mos keqkuptohet nga askush synimi ynë për legalizim të kanabisit vetëm për qëllime mjekësore, që do të jetë një aktivitet i rregulluar me ligj të veçantë dhe i kontrolluar rreptësisht përmes kompanive që do të licencohen. Çdo formë tjetër e kultivimit të kanabisit konsiderohet aktivitet i paligjshëm e kriminal për të cilin do të ketë zero tolerancë.
Ai i bëri thirrje çdo punonjësi policie t’i rezistojë të gjitha formave të tundimit apo presionit të mundshëm për të mbyllur një sy apo një vesh në mënyrë që t’i hapë rrugë kultivimit të kanabisit.
Në ditët në vijim Ministri i Brendshëm dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, do të zhvillojnë takime të ngjashme me strukturat vendore të policisë në qarqet e tjera të vendit.



