Një punonjës i Policisë në Lushnjë është pezulluar nga detyra nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, pasi dyshohet se ka dhunuar qytetarin, Amarildo Hoxha. Ndaj efektivit me inicialet B. Sh., rëndon akuza e veprës penale “Kryerje e veprimeve arbitrare”.
Ngjarja ndodhi pak ditë më parë në vendin e quajtur “Rotondo e Savrës”, në Lushnje. Amarildo Hoxha, tregtar i fruta-perimeve, tregoi për mediat dhunën që punonjësi i policisë kishte ushtruar ndaj tij.
Njoftimi i plotë:
SHÇBA në bashkëpunim me Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnje, më datë 28.10.2021 ka ekzekutuar vendimin penal të Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnje, e cila ka caktuar masën e sigurimit personal “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” ndaj punonjësit të policisë në Komisariatin e Policisë Lushnje, Inspektor B.SH.
Hetimi në bashkëpunim të ngushtë dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lushnje për veprën penale “Kryerje e veprimeve arbitrare”, parashikuar nga neni 250 i Kodit Penal, pas ankesës së shtetasit A.H., i cili ka deklaruar se është dhunuar nga punonjës policie në vendin e quajtur “Rotondo e Savrës”, Lushnje. Hetimet po vijojnë.



