
Prej katër ditësh, qyteti i Elbasanit po përjeton një emergjencë mjedisore, si pasojë e djegies së mbetjeve në Landfillin e qytetit.
Tymi i dendur vijon të mbulojë zonat përreth, ndërsa ndotja e ajrit është ndjeshëm e rritur.
Megjithatë, protesta e paralajmëruar nga qytetarët nuk pati pjesëmarrje të konsiderueshme, duke u cilësuar si e dështuar.
I ftuar në edicionin e lajmeve në MCN TV, aktivisti Gentian Serjani u shpreh i habitur nga mungesa e reagimit qytetar në terren, pavarësisht rrezikut të përditshëm që përbën ndotja për shëndetin.
Është për të ardhur keq që qytetarët nuk reagojnë kur helmohen prej katër ditësh nga ajri që thithin.
Është e pakuptueshme që nuk ka interes për të protestuar kur në rrezik janë fëmijët dhe vetë qyteti ynë.
Ai theksoi se ndonëse shumë njerëz reagojnë në rrjetet sociale, kur vjen puna për të protestuar para institucioneve përgjegjëse, hezitojnë.
Siç ndodh rëndom, njerëzit reagojnë vetëm në rrjetet sociale, por jo përballë institucioneve.
Këto reagime ndoshta shërbejnë vetëm si një valvul shkarkimi emocional, por nuk mjaftojnë për të prodhuar ndryshim real.
Serjani kujtoi se ky nuk është rasti i parë që në inceneratorin e Elbasanit ndodh zjarr, ndërsa çështja ende është në proces hetimi nga organet e drejtësisë.
Sipas tij, situata kërkon më shumë presion qytetar dhe reagim të drejtpërdrejtë.
Ne protestuam edhe para Prokurorisë së Elbasanit, sepse kemi bindjen që kjo situatë nuk është as spontane, as e panjohur.
Ka ndodhur më parë dhe përsëritet.



