Prek Molla, banori i Rrjollit, në një lidhje direkte për MCN, deklaroi se banorët e zonës do të vijojnë protestat kundër rrethimit të tokës që ata pretendojnë se u përket.
Sipas tij, teli me gjemba është vendosur gjatë natës rreth një javë më parë, ndërsa më herët nuk ka pasur asnjë rrethim në atë territor. Molla tha se në zonë janë kryer punime paraprake dhe janë hapur gropa për themele, ndërsa banorët kundërshtojnë pretendimet e kompanisë për pronësinë e tokës.
"Besojmë se është vendosur natën para një jave dhe ne e kemi parë vetëm në mëngjes. Teli me gjemba nuk ka ekzistuar më parë. Deri më tani ata kanë bërë rrethimin dhe kanë bërë disa gropa për themele ku ata pretentojnë që do të bëjnë.
Personalisht unë nuk kam shkuar sepse jam i dënuar që të mos futem brenda rrethimit dhe njerëzit protestuesit kanë ardhur dhe kanë shprehur mllefin e tyre.
Sipas informacioneve të mia nuk ka patur një përplasje me policinë e shtetit, por policia ka qëndruar aty për të shmangur një përplasje mes banorëve dhe kompanisë që ruan kantierin.
Dy forcat politike kanë interesa, Sali Berisha ka djalin e vet që është ortak me Bashkim Ulajnn ë ndërtimet këtu në Rrjoll, ndërkohë Edi Rama ka vëllain e tij ortak me Shkëlzen Berishën. SPAK nuk ka si të marrë çështjen tonë sepse Sali Berisha dhe Edi Rama janë bashkë.
Sipas dokumentacioneve që ne kemi ato dokumenta kanë dalë të falsifikuara dhe ndërkohë sipas dokumenteve të pronësisë ata janë 2km jashtë rrethimit që u takon.
Ne do të vijojmë me protestën sepse është toka e të parëve tanë dhe nuk jemi idiotë të vijmë këtu përditë nëse nuk është tokë e jona. Në nuk ua falim tokën e rrjollorëve Bashkim Ulaj."



