Një 21-vjeçar është arrestuar në flagrancë, pasi u kap duke lëvizur i armatosur me pistoletë, si pasagjer në një automjet.
Në pranga është vënë edhe drejtuesi i automjetit, për veprën penale “moskallëzimi i krimit”.
Gjatë operacionit janë sekuestruar një armë zjarri pistoletë me municion luftarak dhe automjeti.
Shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” (Njësia “Shigjeta”), në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 6, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan operacionin e koduar “Back Side”, me qëllim goditjen e rasteve të armëmbajtjes pa leje.
Gjatë operacionit, në zonën e Qafë Kasharit, u ndalua një automjet me drejtues shtetasin E. A. dhe pasagjer shtetasin E. L.
Gjatë kontrollit fizik, shtetasit E. L. iu gjet një armë zjarri pistoletë me municion luftarak, të cilën e posedonte pa leje.
Në përfundim të veprimeve procedurale, u arrestuan: E. L., 21 vjeç, banues në Shkodër, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”; E. A., 23 vjeç, banues në Shkodër, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.



