
Pesë persona janë proceduar penalisht në Lushnje të cilët morën pjesë në protestën e fermerëve.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lushnjë proceduan penalisht për veprat penale "Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit", "Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të rendit publik" dhe "Organizimi dhe pjesëmarrja në manifestime të paligjshme", shtetasit E. Sh., 43 vjeç, banues në Lushnjë, K. H., 23 vjeç, A. V., 41 vjeç, E. V., 36 vjeç, D. O., 34 vjeç, banues në fshatin Drenovicë, Berat.
Procedimi penal ndaj këtyre personave nisi pasi ditën e djeshme në vendin e quajtur "Rotondo e Plugut" kanë bllokuar kalimin e mjeteve për rreth 15 minuta dhe kanë kundërshtuar me dhunë punonjësit e Policisë.
Kujtojmë se ditën e djeshme me qindra fermerë të zonës së Myzeqesë nga Lushnja e Fieri protestuan në vendin e njohur si rrethrrotullimi i Plugut. Protesta shënoi incidente, ku protestuesit u përplasën me policinë për shkak se për disa minuta ata bllokuan autostradën.



