Një operacion i policisë së Librazhdit i koduar “Target”, ka sekuestruar rreth 7.3 kilogramë lëndë narkotike kanabis sativa, bimë dhe fidanë të dyshuar narkotikë.
Si rezultat i këtij operacioni u arrestua në flagrancë, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, Thoma Karamuça, 50 vjeç, banues në fshatin Babje, Librazhd.
Shërbimet e policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në një sipërfaqe toke të pyllëzuar në afërsi të banesës së këtij shtetasi, gjetën 61 bimë të dyshuara narkotike kanabis sativa, të kultivuara në tokë dhe 14 fidanë të dyshuar narkotikë kanabis sativa të kultivuar në vazo plastike, të cilët u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Gjithashtu, në vijim të operacionit, gjatë kontrollit të banesës së 50-vjeçarit, uniformat blu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale rreth 7.3 kg lëndë të dyshuar narkotike kanabis sativa.
Lidhur me këtë rast materialet iu referuan Prokurorisë Elbasan, për veprime të mëtejshme.



