
Një person ka përfunduar në prangat e policisë së Lezhës pasi ishte shpallur në kërkim për grabitjen e një banese.
22-vjeçari, në bashkëpunim me shtetasin Armand Zhejani, i arrestuar në flagrancë, tentoi të vidhte një banesë në fshatin Zejmen, Lezhë.
Shërbimet e Policisë, mbi bazën e informacioneve të siguruara në rrugë operative për bashkautorin e tentativës së vjedhjes së banesës se shtetasit Zef Therçaj, më datë 09.11.2021, në Zejmen Lezhë, kanë ushtruar kontrolle të vazhdueshme për kapjen dhe ndalimin e tij.
Nga verifikimet hetimore ka rezultuar se shtetasi Elio Hila, 22 vjeç, banues në Lezhë, është autori tjetër i tentativës së vjedhjes në banesën e shtetasit Zef Therçaj.
22-vjeçari dyshohet të ketë pësuar dëmtime, ditën e ngjarjes, gjatë kohës që është larguar nga banesa e shtetasit Zef Therçaj.
Elio Hila është paraqitur në Spitalin Rajonal Lezhë, për mjekim, dhe pasi ka dyshuar që është vënë në dijeni Policia, është larguar, por falë veprimeve të shpejta nga shërbimet e Policisë është bërë i mundur ndalimi i tij pranë një spitali privat në Tiranë.
Materialet hetimore do t’i referohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprën penale "Vjedhja, mbetur në tentativë", e kryer në bashkëpunim.



