
Vendimi i Gjykatës së Krimeve të Rënda për bllokimin e pasaportës së Saimir Tahirit do të apelohet. Avokati i Tahirit, Maks Haxhia, tha pas seancës dëgjimore se do të apelojnë vendimin brenda një afati 5 ditor.
Ai akuzoi Gjykatën e Krimeve të Rënda se është kthyer në noter të Prokurorisë, ndërsa theksoi gatishmërinë e Tahirit për t’u përballur me drejtësinë.
“Do apelojmë vendimin e Gjykatës së Krimeve të Rënda e cila është kthyer në një noter të Prokurorisë. Nuk ka asnjë rrezik që Tahiri të largohet jashtë vendit. Klienti im është i gatshëm të përballet me drejtësinë. Nuk ka fakte dhe prova të reja”, tha avokati Maks Haxhia.
Ish-ministri i Brendshëm është paraqitur sot në Gjykatën e Krimeve të Rënda për t’u njohur me vendimin për ndalimin e daljes jashtë kufijve të vendit.
Tahirit iu komunikua masa e bllokimit të pasaportës, një vendim i marrë dy ditë më parë nga Krimet e Rënda, pas zbardhjes së përgjimeve të reja që janë paraqitur si provë nga prokuroria.
Emri i tij doli pak javë më parë në përgjimet e kryera për llogari të prokurorisë së Katanias. Autoritetet italiane kanë përgjuar komunikimin mes të ashtuquajturve “grupi i Habilajve”, të akuzuar për trafik droge në sasi të mëdha nga Shqipëria drejt Italisë.
Në komunikimin mes tyre përmendej edhe emri i ish-ministrit të Brendshëm.



