
Policia e Tiranës ka vijuar veprimet hetimore lidhur me tubimin e zhvilluar më 4 korrik 2026 pranë Komisariatit të Policisë nr. 3, ku pati përplasje dhe veprime të dhunshme ndaj punonjësve të policisë dhe godinës së komisariatit.
Në kuadër të hetimeve, të zhvilluara nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë nën drejtimin e Prokurorisë, janë identifikuar 12 shtetas të dyshuar si të përfshirë në këto akte.
Sipas Policisë, është ndaluar me iniciativë shtetasi E. H., 33 vjeç, ndërsa janë proceduar penalisht në gjendje të lirë shtetasit me iniciale K. M., V. K., E. L., Sh. B., V. D., E. N. dhe B. K.
Gjithashtu, 4 shtetas janë shpallur në kërkim, ndërsa identitetet e tyre nuk bëhen publike pasi hetimet vijojnë.
Grupi hetimor po vijon punën për identifikimin e personave të tjerë të dyshuar për përfshirje në veprimet e dhunshme dhe nxjerrjen e tyre përpara përgjegjësisë ligjore.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprat penale “Thirrje publike për veprime të dhunshme”, “Shkatërrimi i pronës”, “Goditja për shkak të detyrës”, “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë”, “Mosbindja ndaj urdhrit të ligjshëm të punonjësit të Policisë”, “Prishja e rendit dhe e qetësisë publike”, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.



