
Presidenti Ilir Meta ka vendosur sot me dekret të emërojë gjyqtarin Darjel Sina në Gjykatën e Lartë.
Në njoftimin për mediat bëhet e ditur se “Presidenti i Republikës, në mbështetje të Kushtetutës “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, ka pranuar propozimin e KLGJ-së, dhe përmes Dekretit nr. 13573, datë 26.4.2022, ka vendosur që: Darjel Sina të emërohet gjyqtar në Gjykatën e Lartë, nga radhët e juristëve të spikatur”.
Presidenca njofton se me këtë emërim të ri, nga sot Gjykata e Lartë, bëhet me 12 (dymbëdhjetë) gjyqtarë, nga 19 që kjo gjykatë duhet të ketë.
Presidenti Meta, ripërsërit me forcë rezervën e tij lidhur me veprimtarinë e Këshillit të Lartë Gjyqësor, mbi vonesat në plotësimin e Gjykatës së Lartë me të gjithë trupën e nevojshme gjyqësore.
Sipas njoftimit të Presidentit, plotësimi i kësaj vakance në Gjykatën e Lartë ka zgjatur ekzaktësisht 2 (dy) vjet e 7 (shtatë) muaj, (shtator 2019-prill 2022) ç’ka tregon se kohëzgjatja e procedurave të ndjekura nga KLGJ është e papranueshme, përtej çdo afati ligjor dhe të arsyeshëm.
Edhe pse Presidenti i Republikës, zyrtarisht dhe përmes mesazheve publike ka kërkuar dhe ka bërë disa herë thirrje për ndjekjen me prioritet të procedurave të plotësimit të vakancave në Gjykatën e Lartë, sërisht faktet tregojnë se KLGJ dhe/apo institucionet e përfshira apo të lidhura me këtë proces kanë vepruar jashtë këtij prioriteti.
Megjithatë, në mbështetje të Kushtetutës dhe me vullnetin që Gjykata e Lartë të jetë plotësisht funksionale me të gjithë trupën e nevojshme të saj, ku me mijëra dosje e fate qytetarësh presin gjykimin prej vitesh, të nevojës jetike që ka vendi për një Gjykatë të Latë plotësisht funksionale, si dhe duke vlerësuar të mirëqenë verifikimin dhe vlerësimin prej KLGJ-së të kandidaturës së propozuar, Presidenti i Republikës ka vendosur të shprehet pa vonesë për pranimin e propozimit të KLGJ-së, për emërimin e zotit Darjel Sina, si anëtarin më të ri të Gjykatës së Lartë.



