
Vrasja e shqiptarit Ergys Dashit dy ditë më parë në Ekuador vijon të jetë ende pa autor. Mediat ekuadoriane shkruajnë se zyrtarët e lartë të policisë vendase dyshojnë se vrasja ka ndodhur si pasojë e konflikteve mes grupeve për territor, përsa i përket trafikut të lëndëve narkotike. “Kemi të bëjmë me luftë për territor për të shitur drogë”, është shprehur zyrtari i lartë i policisë në Ekuador.
Nga ana tjetër, qytetarët vendas janë shprehur për mediat se ndihen të pasigurt në vendin e tyre mbi gjendjen e krijuar. “Nuk mund të ulesh më i qetë në një restorant, për të ngrënë diçka me familjen, sepse plumbat mund të vijnë në çdo kohë”, ka thënë një qytetar i frikësuar.
Mediat ekuadoriane theksojnë se vendi është në një luftë të kryqëzuar mes bandave të “Choneros”, “Chone Killers” dhe “Lagartos”. Pas vrasjes së shqiptarit në Guayaquil Presidenti i Ekuadorit Guillermo Lasso ndryshoi drejtuesit e policisë dhe urdhëroi nxjerrjen në terren të 1100 trupave shtesë për të vendosur rendin.
Ergys Dashi u ekzekutua mbrëmjen e së shtunës në Guayaquil të Ekuadorit me një plumb në kokë. Autori, i cili mbante në dorë një buqetë me lule, shkoi me vrap në drejtim të tryezës ku ai ishte ulur, e qëlloi në kokë dhe u largua.



