
Policia e Sarandës ka vënë në pranga një 49-vjeçar me iniciale A.M, banues në Tiranë, i cili prezantohej si prokuror për të përfituar shërbime, dokumente dhe favore në institucione të ndryshme.
Ai ishte në kërkim pasi kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” për të njëjtën veprimtari mashtruese.
“Nga hetimet dyshohet se duke u prezantuar si prokuror dhe duke i premtuar se do të paguheshin nga institucioni i Prokurorisë, shtetasi A. M. ka punësuar disa shtetas në shërbim të tij, të cilëve ia ka shkaktuar dëm të konsiderueshëm ekonomik. Gjithashtu, ka kërkuar favore në institucione dhe subjekte të ndryshme.
Nga verifikimet e kryera, rezultoi se 49-vjeçari ishte në kërkim pasi kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, caktuar nga Gjykata, për veprën penale “Mashtrimi”, pasi është paraqitur në institucione dhe iu ka marrë para qytetarëve, duke u prezantuar si prokuror”, thuhet në njoftimin e policisë.
Gjatë operacionit u arrestua edhe një 19-vjeçar me iniciale E.Ç që e strehonte, në banesën e të cilit u gjetën një armë automatike, municion dhe dokumente të dyshuara si të përdorura në mashtrime.
Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme procedurale.



