
Reshjet e shiut me intensitet të lartë që pritet të përfshijnë vendin gjatë ditës së nesërme, mund të krijojnë situata problematike në disa qarqe, duke sjellë rrezik për përmbytje të lokalizuara urbane, vërshime të shpejta të lumenjve malorë dhe rrëshqitje dherash, ka paralajmëruar Instituti i Gjeoshkencave (IGJEUM.
Sipas tyre, rreziku më i lartë për vërshime të përrenjve dhe lumenjve të vegjël malorë, si dhe për rrëshqitje dherash, paraqitet në qarqet Shkodër, Kukës, Vlorë dhe Gjirokastër.
Probleme dhe përmbytje të lokalizuara (në varësi të gjendjes së rrjeteve të kanalizimeve) mund të shfaqen në zonat urbane të shtatë qarqeve: Shkodër, Kukës, Dibër, Lezhë, Durrës, Vlorë dhe Gjirokastër.
Reshjet pritet të sjellin rritje të ndjeshme të prurjeve në lumenjtë e mëdhenj dhe të mesëm, konkretisht në Drin-Bunë, Mat, Ishëm, Erzen, Shkumbin, Seman dhe Vjosë.
Për sa i përket situatës meteorologjike, gjatë pasdites së sotme priten reshje të dobëta deri lokalisht mesatare në qarqet Shkodër dhe Kukës, të shoqëruara me shtrëngata, ndërsa në qarqet e tjera reshjet do të jenë të dobëta.
Ndërsa të enjten, reshjet do të intensifikohen.
Në qarkun Shkodër parashikohen reshje shumë intensive, ndërsa në Kukës, Dibër dhe Lezhë reshjet pritet të jenë intensive deri lokalisht shumë intensive.
Reshje intensive parashikohen edhe në qarqet Durrës, Tiranë, Vlorë dhe Gjirokastër. Në qarqet Elbasan dhe Fier priten reshje mesatare deri lokalisht intensive.
Në të gjithë vendin parashikohen edhe shtrëngata.
