
Ka humbur jetën Agim Vocka, 65-vjeçari që u aksidentua rëndë paraditen e së martës në aksin nacional Delvinë–Sarandë. Vocka u përplas nga një autobus pranë kthesës së fshatit Bajkaj.
Pas aksidentit, ai u transportua me urgjencë drejt Spitalit të Sarandës, ku mjekët konstatuan se kishte pësuar traumë të rëndë në kokë.
Për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore, 65-vjeçari u transportua me helikopter drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, ku mori trajtim të specializuar. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ai nuk mundi t’u mbijetonte plagëve të marra dhe ndërroi jetë.
Agim Vocka do të përcillet sot për në banesën e fundit në fshatin Bajkaj, aty ku jetonte. Ndërkohë, Policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit. Autoritetet po punojnë për të përcaktuar shkaqet e përplasjes dhe përgjegjësitë e mundshme lidhur me ngjarjen.



