Policia e Shtetit ka finalizuar brenda 24 orëve dy operacione të koduara “Operacionalja 94” dhe “The Wanted”, në kuadër të punës për lokalizimin dhe arrestimin e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Të dy shtetasit e kapur kërkoheshin nga autoritetet italiane për vepra të ndryshme penale, përfshirë trafik droge, krime kundër personit dhe armëmbajtje pa leje.
Në Kavajë, shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale arrestuan 48-vjeçarin Saimir Dakoli, i dënuar nga Gjykata e Apelit të Venecias me 7 vite e 4 muaj burg për trafikim të lëndëve narkotike, nga të cilat i mbeten për të vuajtur 6 vite e 4 muaj e 20 ditë.
Ndërsa në Durrës u kap 47-vjeçari Elton Stafa, i njohur edhe me disa identitete të tjera, i dënuar nga Gjykata e Apelit në Milano me 5 vite e 7 muaj burg për plagosje të rëndë me dashje, mbajtje të sendeve të vjedhura dhe armëmbajtje pa leje.
Vijon bashkëpunimi mes Interpol Tiranës dhe Interpol Romës për ekstradimin e tyre.



