
Policia e Shkodrës ka vënë në pranga 18-vjeçarin A. H., i dyshuar për plagosjen e trefishtë të ndodhur mesditën e kësaj të premte në qendër të qytetit. Sipas policisë, i dyshuari është vetëdorëzuar në ambientet e policisë pas negociatave me familjarët e tij.
Ndërkohë, një nga të miturit që A. H., qëlloi me thikë vijon të marrë shërrbim mjekësor në Spitalin e Shkodrës, pasi ndodhet në gjendje më të rënduar se dy të tjerët.
Njoftimi i policisë:
Arrestohet autori i plagosjes së trefishtë, të ndodhur mesditën e sotme.
Menjëherë pas ngjarjes së ndodhur mesditën e sotme, në lagjen “Qemal Stafa”, Shkodër, ku shtetasi A. H., pas një konflikti për motive të dobëta, plagosi me thikë tre bashkëmoshatarët e tij dhe u largua, shërbimet e Komisaritait të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Shqiponja të DVP Shkodër, janë vënë në ndjekje të autorit dhe kanë ushtruar kontrolle të shumta në ambiente të ndryshme, në akse rrugore dhe në lagjet e qytetit të Shkodrës.
Për shkak të presionit të Policisë dhe falë negociatave me familjarët e shtetasit A. H., u bë e mundur që rreth orës 20:00, ky shtetas të vetëdorëzohej në Komisariatin e Policisë Shkodër, për veprime të mëtejshme proceduriale.
Shtetasi A. H. plagosi me mjet prerës thikë, bashkëmoshatarët e tij, shtetasit K. H., E. T. dhe Xh. P.
Shtetasi Xh. P. ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve, ndërsa dy shtetasit e tjerë, pas ndihmës mjekësore, janë larguar në banesë.
Materialet proceduriale do t’i kalojnë Prokurorisë, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”.



