
Policia e Shtetit bën të ditur se një 34-vjeçar nga Kosova është arrestuar në Morinë pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Gjermania.
Shërbimet e Policisë Kufitare Morinë, në bashkëpunim me shërbimet e DVP Kukës, kapën në hyrje të RSh-së dhe arrestuan me qëllim ekstradimin, shtetasin kosovar: Y. A., 34 vjeç, banues në Ferizaj, Kosovë.
Nga verifikimet e kryera dhe nga informacioni i shkëmbyer me Interpol Tiranën, rezultoi se ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata Wiesbaden, Gjermani, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, parashikuar nga legjislacioni penal gjerman.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me homologët në Gjermani, vijon procedurat për ekstradimin e 34-vjeçarit.



