
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ka lënë sot në fuqi masat për nëntë zyrtarët e Ministrisë së Brendshme.
Ata u arrestuan nga Porkuroria e Posaçme (SPAK) në lidhje me abuzimin me tenderin e uniformave të Policisë së Shtetit.
Gjykata Speciale kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) vendosi më 12 korrik masën e sigurisë arrest me burg për nëntë ish-zyrtarët dhe zyrtarët e Ministrisë së Brendshme.
SPAK ka kërkuar lënien në fuqi të masës “arrest me burg” për tetë nga zyrtarët dhe për njërin nga ata “arrest shtëpie”.
Përveç drejtoreshës Edlira Naqellari, në burg do vijojnë të qëndrojnë edhe Flutura Çekrezi, Ani Omuri, Kleviz Hasani dhe anëtarët e komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Kreshnik Bejkaj, Fatmir Femneri, Mariglen Buzali, Gëzim Mingaj. Ndërsa në masën arrest shtëpie do qëndorjë vetëm Anisa Bogdani.
Të gjithë të dyshuarit akuzohen për kryerjen e veprës penale “shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike”, në bashkëpunim.
Të gjithë këto shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe me titullarin e Organit Qendror Blerës, kanë sjellë avantazhe dhe privilegje të padrejta në kualifikimin e operatorit fitues në këtë procedurë prokurimi.
Në 2020 ky tender u denoncua nga opozita parlamentare, ku sipas të cilës u grabitën para me anë të një kompanie fiktive.



