Nënkryetari i Prishtinës, Muhedin Nushi, ka thënë se numri i të infektuarve me koronavirus në Kosovë do të vazhdojë të rritet ditëve në vazhdim. Sipas tij, e vetmja mundësi e mbrojtjes nga ky virus është mbajtja e distancën dhe vendosja e maskës.
“Rritja e numrit të infektuarve ka qenë e pritur dhe ky nuk është fundi. Ne besojmë që do të jetë numri ende më i madh duke u bazuar edhe në rritjen e numrit të testimeve i cili po kryhet në nivel të Kosovës. Afër 30 për qind i kemi raste të infektuara në territorit të Prishtinës, por që 40 përqindëshi është në nivel vendi. Është përqindja e madhe krahasuar me shtete tjera. Ne kemi kërkuar që të bëhen më shumë testime edhe në komuna të tjera. E vetmja mundësi e mbrojtjes nga ky virus është mbajtja e distancën dhe vendosja e maskës. Nuk kemi strategji të caktuar se çka do të ndodh me personat e infektuar nëse kemi 0 deri 500 veta të infektuar, 1 000 deri në 2 000 apo edhe 3 000”.
Nushi shtoi se shtabi i përgjithshëm në nivel qeveritar me atë komunal duhet të bëjnë përzgjedhjen e hoteleve ose vendeve të tjera ku do të mund të shtroheshin personat e infektuar.
“Në shtete të tjera po selektohen edhe hotelet për të shërbyer si spitale të përkohshme. Pse kjo të mos aplikohet edhe në Kosovë. Mendoj se shtabi i përgjithshëm në nivel qeveritar me atë komunal që të bëjë përzgjedhjen e këtyre hoteleve ose vendeve të tjera ku do të mund të strehohem ose të vendosen personat e infektuar. Çështja më kryesore është që kapacitetet shëndetësore vetëm në QKUK duke përfshirë edhe klinika të tjera si ajo e Pulmologjisë mund të jenë të stërmbushura dhe duhet të gjendet rrugëdalje nga kjo situatë e cila nuk do të jetë e lehtë dhe e shkurtër”, shtoi ai.
Nënkryetari Nushi tha se kanë nevojë për furnizim me barna dhe vaksina kundër gripit sezonal. Ai tha se edhe në Drejtorin e Arsimit ka të infektuar me Coronavirus, mirëpo shërbimet vazhdojnë vetëm në raste emergjente.



