Tre personat e arrestuar për vrasjen e 50-vjeçares Drita Saliaj, në Gjerbës të Mallakastrës, kanë pranuar krimin. Aktualisht Luis Saliaj, Sindi Shehaj si dhe Ervis Zotaj ndodhen pas hekurave, pasi akuzohen se torturuan dhe më pas lidhën dhe e hodhën në rezervuan 50-vjeçaren, duke i shkaktuar asaj vdekjen.
Para policisë ata kanë shfaqur pendesë, ndërsa nipi 16-vjeçar ka pranuar edhe që e kanë hedhur trupin në rezervuar.
Për ngjarjen kanë folur edhe fqinjët dhe të afërmit, të cilët kanë thënë se nipi i tyre ishte njeri problematik.
Fqinjët thonë se tre autorët duhet të marrin dënimin më të rëndë për krimin që kanë kryer.
Ngjarja, e cila ndodhi më 5 janar, e ka marrë zanafillën kur tre të rinj, kanë shkuar për të grabitur pranë familjes së gruas, duke menduar se në këtë të fundit nuk kishte njeri.
Drita Saliaj u gjet e pajetë dje në rezervuarin e fshatit dy ditë pas ngjarjes, nga polumbarët e forcave RENEA. Nipi i bashkëshortit të 51-vjeçares, (djali i vëllait), L.Saliaj së bashku me dy të rinj, shokë të tij, S.Shehaj 16 vjeç banues në Çërrillë dhe Ervis Zotaj 26 vjeç banues në Gjerbës, të tre të arrestuar shkuan në banesën e 51-vjeçares për të grabitur.
Pasi kanë hyrë brenda territorit të shtëpisë, të rinjtë janë pikasur nga e zonja e shtëpisë, e cila mund edhe t’i ketë njohur. Fill pas kësaj, autorët mësohet se e kanë marrë gruan, e kanë lidhur dhe trupin e kanë hedhur në rezervuarin e fshatit. Kanë qenë familjarët e saj të cilët dy ditë më vonë sinjalizuan policinë, ndërsa më pas u zbulua edhe ngjarja e rëndë.



