
Ka përfunduar në burgun e Pratos në Itali, një 45-vjeçar shqiptar me banim në Pistoia, i akuzuar për tentativë vrasje ndaj gruas me të cilën bashkëjetonte, si dhe për keqtrajtime në familje.
Hetimet e policisë italiane u thelluan pas dëshmisë për një grabitje të mundshme në rrugën “Nazario Sauro”, ngjarje e denoncuar më 28 shkurt.
Gruaja ishte plagosur me thikë, çka bëri që të kurohej dhe më tej të operohej me urgjencë në spitalin e Pistoia.
Ndërkohë partneri i saj tha në polici se, ishte sulmuar nga një person i maskuar dhe i armatosur me thikë, teksa shëtiste me partneren. Sipas tij, i dyshuari i kishte ngulur thikën në bark gruas, për t’i marrë çantën.
Mirëpo gjatë hetimeve rezultoi se gruaja, ishte viktimë e akteve të dhunës fizike dhe psikologjike, kohëve të fundit.
Madje u zbulua se në një rast, teksa gruaja shoqërohej nga bashkëjetuesi për një vizitë kontrollin në spitalin e Pistoia, ishte rrahur, fyer dhe kërcënuar me vdekje.
Në muajin mars, i dyshuari u transferua në burg, pas denoncimit të bërë nga gruaja. Hetimet e thelluara, nëpërmjet përgjimeve telefonike dhe ambientale, arritën të dokumentojnë përgjegjësinë e burrit.
Keqtrajtimet ndodhnin edhe ndaj dy fëmijëve të gruas, 12 dhe 8 vjeç. Xhelozia e sëmurë e burrit, sipas hetuesve e kishte shtyrë deri në plagosjen e gruas, duke inskenuar më tej grabitjen, për t'i shpëtuar arrestimit.



