Është arrestuar në Tuz të Malit të Zi afër Podgoricës, Viktor Marku, vëllai i Prel Markut, i cili u vra në vitin 2006 në Angli nga Hekuran Billa.
Viktor Marku ishte shpallur në kërkim si i dyshuari kryesor për vrasjen e Bilës tek Kristali. Operacioni u zhvillua në bashkëpunim mes policisë sonë dhe asaj të Malit të Zi. Policia ka ndjekur lëvizjet e Viktor Markut, më pas ka njoftuar homologët malazezë të cilët kanë kryer arrestimin.Kujtojmë që dje është arrestuar dhe nipi i Viktor Markut, Sebastiano Mali. Ai dyshohet se ka ndjekur viktimën dhe ka lajmëruar atentatorët për vendndodhjen e tij, ndërsa si autori i vrasjes dyshohet Viktor Marku, vëllai i Prel Markut, i cili u vra nga Hekuran Billa në Angli në vitin 2006.
Ai është shprehur se nuk ka asnjë lidhje me atentatin ndaj 40-vjeçarit, ndërsa prania e tij në atë zonë ka lidhje me një vajzë, të cilën ai e pëlqen.
Makinat e përdorura nga Viktor Marku e Sebastiano Mali kanë qenë të marra me qira në Shkodër nga familjarë të Sebastianos.
Ndërkohë policia ditën e sotme ka ndaluar edhe dy të rinj të tjerë në Shkodër, të cilët dyshohen si pjesëmarrës në atentatin te Komuna e Parisit.
Njoftimi i policisë:
Arrestohet autori kryesor i dyshuar për vrasjen e shtetasit H. B.
Falë shkëmbimit të informacioneve dhe bashkëpunimit efikas me Policinë malazeze u bë i mundur lokalizimi, kapja dhe arrestimi i shtetasit V. M.
Strukturat e Policisë së Shtetit kanë vënë në pranga, në Pikën e Kalimit Kufitar Hani i Hotit Shkodër, shtetasin V. M., pasi dyshohet se është autori kryesor i ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e 11 qershorit, te Komuna e Parisit, Tiranë, ku mbeti i vrarë me armë zjarri shtetasi H. B.
Shtetasi V. M. qëndronte në mënyrë të parregullt në Malin e Zi dhe falë shkëmbimit të informacioneve mes Policisë së Shtetit dhe Policisë Malazeze, u bë i mundur lokalizimi dhe kapja e shtetasit V. M., në Malin e Zi.
Policia malazeze ia ka dorëzuar shtetasin V. M., strukturave të Policisë së Shtetit, në Pikën Kufitare të Hanit të Hotit.
Një ditë më parë, nga strukturat policore të DVP Tiranë u kap dhe u vu në pranga njëri nga bashkëpunëtorët në vrasje, 22-vjeçari S. M., nipi i shtetasit V. M.
Ndërkohë, nga Sektori Kundër Krimeve të Rënda në DVP Tiranë, në koordinim nga Departamenti i Policisë Kriminale dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, vijon puna intensive për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë vrasje.
Policia e Shtetit falënderon Policinë malazeze për bashkëpunimin, shkëmbimin e informacioneve dhe koordinimin e veprimeve, duke bërë të mundur vënien në pranga të autorit të vrasjes së shtetasit H. B.



