Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mesditën e sotme rreth orës 13:40 në pyllin e fshatit Fushë-Sopot në Bulqizë, ku një gjueti ka përfunduar në tragjedi.
Shtetasi Bledian Firi, 44 vjeç, banues në Tiranë, dyshohet se ka vrarë nga pakujdesia me armë gjahu një 29-vjeçar.
Sipas informacioneve paraprake nga policia, 44-vjeçari ka qenë duke gjuajtur dhe ka qëlluar me armë në drejtim të një kafshe të egër.
Fatkeqësisht, plumbat kanë prekur shtetasin Edison Lala, 29 vjeç, banues në fshatin Strikçan, i cili si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë menjëherë në vendngjarje.
Policia ka reaguar menjëherë duke bërë shoqërimin e shtetasit B. F. në ambientet e Komisariatit të Policisë Bulqizë për veprime të mëtejshme procedurale.
Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale është sekuestruar edhe arma e gjahut që dyshohet se u përdor në këtë ngjarje.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, ndodhet në terren dhe po punon intensivisht për dokumentimin ligjor dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje të rëndë.
