Gazetari Artan Hoxha duke folur në MCN Live tha se Shqipëria duhet të jetë vigjilente dhe të rishikojë planin e masave në lidhje me muxhahedinët e strehuar në kampin e Manzës. Hoxha vë në dukje se kemi të bëjmë me forca paramilitare, ndonëse janë të paarmatosur, që përbëjnë gjithmonë një kërcënim të vogël si i ynë. Sipas gazetarit Shqipëria duhet të kërkojë angazhimin e SHBA-ve dhe NATO-s.
“Kjo që ndodhi në konfliktin 12-ditor Izrael-Iran, e përfshiu edhe Shqipërinë sepse strehon krahun e armatosur të forcës opozitare në Iran. Janë njerëz të trajnuar, të ushtruar, që kanë bërë akte sabotazhi konkrete. Janë një forcë paramilitare, thjesht nuk janë të armatosur. Ke gati gjysmën e ushtrisë shqiptare, se aq 6 mijë trupa kemi ne, aty janë diku 2700-2800. Me përmasat që janë ata, ne duhet të kemi një vëmendje të shtuar dhe të gjejmë një zgjidhje, t’ua kërkojmë aleatët tanë që na i sollën, s’e si morëm me dëshirë, dhe na dhanë garanci që do na ndihmonim t’i ruanim.
Ki parasysh sa sekretarë shteti dhe senatorë kanë ardhur për kampin e Manzës. Situata që ndodhi atje i jep mundësinë Shqipërisë, çfarë garancish duhet të ketë që të vazhdojë të mbajë këtë kamp, pa patur pasoja nga Irani. Ne kemi pasur pasoja dhe goxha të rënda, na është bërë sulm kibernetik me dëm të rëndë. Ne duhet të kemi vëmendje të shtuar edhe ndaj vet strukturës, sigurisë në kamp, dhe t’u kërkojmë aleatëve edhe një mundësi tjetër për të parë se çfarë mund të ndodhë. Nëse konstaton Republika Islamike e Iranit që pjesëtarë të kampit kanë vepruar kundër interesave të saj ne gjithmonë do jemi të rrezikuar, sepse Irani gjen të drejtë të thotë unë do godas ata që më godasin.
Duhet t’u kërkojmë angazhim SHBA-ve dhe NATO-s në mënyrë që ta bëjmë këtë pjesë. Po ofrojmë një shërbim që s’është i vogël. Ata janë ushtri thjesht pa armë. Për vende të vogla si ne, janë gjithmonë kërcënim. Ky rast duhet të na kthejë me këmbë në tokë, të na bëjë vigjilentë, të gjithë aktivitetit që ata kryejnë aty brenda. Duhet të rishikojmë planin e masave të sigurisë, vigjilencës, që mos u ndodhë gjë nga jashtë dhe nga brenda mos kryejnë aktivitet. Të kërkojmë mbështetje nga aleatët që Shqipëria mos dëmtohet nga aktiviteti i tyre”.
Duke folur për luftën 12-ditore, Hoxha tha që miti se Izraeli është i paprekshëm ka rënë dhe kupola anti-raketore nuk mbrojti çdo gjë dhe pati dëme brenda vendit. Gazetari e konsideron një lëvizje shahu atë të SHBA-ve, për ndërhyrjen me bombën anti-bunker, ndërsa shprehet se iu dha mesazhi Kinës që rregullat në planet i vendos ende Amerika.
“Goditja ishte për t’i treguar Izraelit, shiko që po të mbështesim, për t’i treguar Iranit që shiko po u futëm në luftë, kjo është fuqia jonë. Tani që u mbyll tabloja, doktrina amerikane që nga 2015-ta ka qenë 3C, Clima, China, Corruption. Irani i jep Kinës jo vetëm 60 për qind të hidrokarbureve, dhe duke u goditur Irani u godit një bazë e rëndësishme e Kinës në Lindjen e Mesme dhe furnitori i saj kryesor. Ishte edhe një mesazh i qartë për t’i dëshmuar Kinës që akoma rregullat në planet i vendos SHBA”.



