
Policia e Lezhës ka arrestuar dy persona të cilët ishin shpallur më herët në kërkim. Akuzat që rëndojnë ndaj dy të arrestuarve janë “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Heqja e paligjshme e lirisë”. Në pranga është vënë shtetasi K.K., ndaj të cilit ishte caktuar masa e sigurisë “arrest me burg” për trafik droge dhe shtetasi Filip Shtjefni, i njohur ndryshe si “Tony Montana”. Shtjefni është dënuar nga Gjykata me dy vite burg për “Heqje të paigjshme të lirisë”, ndaj një shtetase.
“Në vijim të punës për lokalizimin dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, nga shërbimet e Policisë Lezhë në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr.6 Tiranë është bërë e mundur kapja dhe ndalimi i shtetasit K.K., 25 vjeç, banues në fshatin Barbullojë, Lezhë. Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lezhë i ka caktuar masën e sigurisë ‘Arrest në burg’, për veprën penale ‘Prodhimi dhe shitja e narkotikëve’”, njoftoi policia.
Më datë 28.10.2020, në afërsi të një lokali në aksin rrugor Mikot-Lezhë nga shërbimet e Policisë Lezhë është bërë ndalimi i një mjeti me drejtues shtetasin K. K., i cili braktisi mjetin dhe u largua. Gjatë kontrollit të mjetit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 27 kg lëndë narkotike canabis sativa, si dhe arrestuan në flagrancë bashkëpunëtorët tij, shtetasi N. T .dhe Z. M.
“Gjithashtu, nga sherbimet e Policisë Lezhë është bërë kapja dhe ndalimi i shtetasit Filip Shtjefni, banues në Lezhë,i shpallur në kërkim pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lezhë e ka dënuar me 2 vite burg ,për vepren penale ‘Heqje e paligjshme e lirisë’, pasi ky shtetas në vitin 2016 ,ka mbajtur pa dëshirën e saj shtetasen E.M”, njoftoi më tej policia.

(Filip Shtjefni)
Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme.



