
Vijon të jetë aktiv zjarri i rënë që prej pasdites të së enjtes, në masivin pyjor të fshatit Shëngjergj të Njësisë Administrative të Kaçinarit në Mirditë.
Zjarri nuk është arritur ende të shuhet, ndërkohë raportohen dëme të shumta në ekonominë pyjore të zonës.
Deri tani janë djegur mbi 10 hektarë, me lis, dushqe dhe barishte, ndërsa zjarri nuk ka përhapje masive dhe nuk përbën rrezik për zonën e banuar.
Në terren ndodhen katër mjete zjarrfikëse, por depërtimi i tyre pranë vatrës së zjarrit është i pamundur për shkak të terrenit të thyer malor.
Në këto kushte efektivet zjarrfikës dhe punonjësit e shërbimit pyjor të Bashkisë Mirditë, po ndërhynë me mjete rrethanore për shuarjen e këtij zjarri i cili po shkakton dëme të shumta në ekonominë pyjore të zonës.
Dyshimet janë për zjarrvënie të qëllimshme për të hapur kullota të reja në mal, por pavarësisht veprimeve hetimore, policia nuk ka arritur ende që të identifikojë autoret.



